Challandes bëhet operacion

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur, përmes një postimi të publikuar në faqen zyrtare, se trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë dje operacion gjurin e këmbës së tij.

Kryesuesi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka uruar Bernard Challandesit shërim të shpejtë dhe e ka theksuar rolin e tij për skuadrën e “Dardanëve”.

“Pas operimit që pati dje përzgjedhësi i Kombëtares sonë, Bernard Challandes, në gju, shfrytëzoj rastin që në emrin tim dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës t’i uroj atij shërim sa më të shpejtë”, thuhet në letrën e Ademit.

“Roli i tij në ecurinë e ekipit tonë Kombëtar është shumë i rëndësishëm, prandaj ne e presim përzgjedhësin Challandes që të kthehet sa më i fortë në shtator kur na presin dy sfidat e radhës”.

“Zotit Challandes i urojmë shërim të shpejtë, shëndet të plotë e po ashtu vazhdimësi të rezultateve të mira me Kombëtaren tonë”.

Bernard Challandes u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018, para 488 ditëve. Gjatë kësaj kohe ai i ka zhvilluar 13 ndeshje me “Dardanët”, prej të cilave tetë janë fitore dhe pesë barazime. Ai është ende i pamposhtur si trajner i Kosovës.