Ministrja e Mjedisit

Pacolli: Mali Mokna dhe Liqeni i Ujmanit drejt shpalljes zona të mbrojtura

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se të mërkurën ka pranuar zyrtarisht Studimin për vlerat natyrore të Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit, i cili paraqet bazën për nisjen e procedurave për shpalljen e këtyre zonave si territore të mbrojtura.

Përmes një njoftimi në Facebook, Pacolli ka deklaruar se studimi dëshmon biodiversitetin e pasur dhe potencialin turistik të këtyre dy zonave, duke ofruar një bazë shkencore për mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.

Ajo ka theksuar se pas pranimit të këtij dokumenti, Ministria do të nisë procedurat e mëtejshme për ta përcjellë nismën për votim përfundimtar në Kuvend.

Sipas Pacollit, shpallja e Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit si zona të mbrojtura do të ndikojë në rritjen e sipërfaqes së territorit të mbrojtur në Kosovë, nga 11 për qind në 12.4 për qind.

“Shpallja e Malit Mokna dhe Ujmanit si zona të mbrojtura është një arritje madhore që rrit sipërfaqen e territoreve tona të mbrojtura nga 11% në 12.4%. Kjo e pozicionon Kosovën në nivelin më të lartë në të gjithë rajonin”, ka deklaruar Pacolli.

Ajo ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit.