PDK kërkon sërish pezullimin e taksës

Pavarësisht se dy partnerët e koalicionit qeverisës, AAK e NISMA, nuk po heqin dorë nga vendimi për taksën, partia më e madhe e koalicionit po vazhdon të kërkojë pezullimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe.

Para rreth një muaji kreu i PDK-së, Kadri Veseli, kërkoi që masa ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnja e Hercegovina të pezullohet përkohësisht, gjegjësisht të suspendohet për një periudhë prej 120 ditësh.

Njëjtë ka deklaruar gjatë ditës së djeshme për “Zërin” edhe deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin që t’i cenojë raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Mendoj që do të duhej të bëhej pezullimi për një kohë shumë të shkurtër, pasi që së pari është arritur efekti politik dhe së dyti konsiderojmë që është luks i madh që të tentojmë të mendojmë që mund të prishen relacionet tona me partnerët tanë”, ka deklaruar Izmaku.

Ndërkohë, taksa ndaj produkteve serbe është vendosur më 21 nëntor të vitit të kaluar.