“Nxehen” këshilltarët e ministrave, kërkojnë të dërgohet FSK-ja në veri

Arrestimi i policëve të Kosovës nga policia e Serbisë ka përshkallëzuar situatën e sigurisë në veri të vendit. Institucionet e Kosovës menjëherë kanë marrë disa masa duke shtrënguar kontrollet në pikat kufitare me Serbinë.

Veprimet e Serbisë në territorin e Kosovës, që janë konsideruar si akt agresioni, kanë nxitur reagimin edhe të shumë deputetëve dhe ministrave. Këshilltaret e këtyre të fundit janë treguar edhe më të ashpër. Disa nga ta kanë kërkuar që të dërgohet FSK-ja në veri të Kosovës për të ruajtur kufirin me Serbinë.

Egzon Azemi, këshilltar politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se tani është koha që ushtria të dërgohet në veri.

“Është koha që FSK të dërgohet në veri të vendit”, ka shkruar Azemi në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe më i ashpër ka qenë Luan Hoti, asistent personal i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ai në formë ultimative i ka kërkuar misionit të NATO-s në Kosovë që të ndërhyjnë në veri.

Në të kundërtën, sipas tij, atje do të dërgohen FSK-ja.

“Nëse KFOR-i brenda 24 ore nuk zotohet që do te na mbroj territorin e Republikes se Kosoves, atehere Kosova ka obligim te dergoj trupat e FSK-se per ta mbrojtur territorin. Gjithashtu, policia duhet te vazhdoje te jete prezente dhe operative deri kur te gjithe kriminelet te dalin para drejtesise.” – ka shkruar ai në profilin e tij në “Faceboo”.

Të njëjtin mendimi e ka shprehur edhe aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, i cili njihet si përkrahës i kryeministrit Albin Kurti.

Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se KFOR-i duhet të tregon nëse nuk mund ta siguron kufirin me Serbinë.

“Nëse KFOR-i s’mundet me i kontrollu kufijtë atëherë FSK duhet me u vendosë përgjatë kufinit me Serbinë. Boll mo me hajgare”, ka shkruar Gjonovci.

Reagimeve të mbështetëse të tij u është përgjigjur edhe kryeministri Albin Kurti.

Në konferencën për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti ka fajësuar Thaçin se pse FSK-ja nuk mund të shkojë në veri të Kosovës për ta ruajtur kufirin me Serbinë.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të bëhet për shkak të një zotim të njëanshëm që Thaçi e ka bërë NATO-n.

“Thaçi ka dërguar një zotim të njëanshëm ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, ku i thotë që Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do ta kalojnë lumin Ibër dhe që prej vitit 2013 ne nuk kemi ushtri në veri të Kosovës për shkak të këtij zotimi ndaj NATO-s. Rrjedhimisht NATO, përkatësisht KFOR-i është ushtria e Kosovës në veri të Kosovës dhe kufirin e ruan ushtria. Ne do të bëjmë maksimumin në policinë tonë por për të qenë plotësisht të suksesshëm aty duhet të jetë KFOR-i”, ka thënë Kurti.

Dje, njësitë speciale të Policisë së Serbisë janë futur qindra metra në territorin e Kosovës dhe kanë arrestuar tre zyrtarë policor të Kosovës. Pamjet që kanë sjell mediat serbe kanë qenë poshtëruese.

Në fotografit e postuar policët e Kosovës duken të shtrirë përmbys, të çarmatosur dhe me sy e duar të lidhura.

Një veprim i tillë është konsideruar edhe si shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Policia e Kosovës ka treguar vendin ku janë kidnapuar kolegët e tyre.

“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, është thënë në komunikatën e policisë.