900 kompani dhe 9449 punëtorë e realizuan këtë vepër madhështore – Autostradën “Arbën Xhaferi” (VIDEO)

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit pas inaugurimit të autostradës “Arbën Xhaferi” kanë dhënë edhe detaje për gjatësinë e saj, sa punëtorë e kompani vendore kanë punuar gjithsej, si dhe për urën që është më e gjata në rajon.

Përmes një komunikate për media lëshuar nga MIT, shkruhet se ministri Pal Lekaj ka përmendur edhe të gjithë ata punëtorë që humbën jetën gjatë ndërtimit të autostradës.

Tutje u dhanë edhe detaje për atë numrin e punëtorëve, gjatësinë e për urën më të gjatë në rajon.

“Autostrada “Arbën Xhaferi” është e gjatë 65.5 kilometra dhe krahas “Bechtel & Enkës”, kanë punuar edhe 900 kompani vendore me gjithsej 9449 punëtorë, duke u bërë gjenerues i vendeve të punës për 5 vite me radhë. Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi prej 5.7 kilometra”, shkruhet në komunikatë.

Megjithëse u bë e ditur se autostrada “Arbën Xhaferi” do të lëshohet për qarkullim të lirë rrugor, sot prej orës 17:00, Ministria e udhëhequr nga Lekaj nuk ka dhënë detaje se sa i ka kushtuar ky projekt buxhetit të shtetit.