“9 vende e kanë tërhequr njohjen e Kosovës” | Flisni presidente e kryeministër, të paktën tregoni nëse Vuçiqi po rrenë

Fushata e vazhdueshme e Serbisë për çnjohjen e shtetit të Kosovës nuk duket se po u bënë shumë përshtypje liderëve institucionalë. Deklarimi i mbrëmshëm i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se nëntë shtete kanë hequr njohjen diplomatike të sovranitetit të Kosovës, po përcillet me heshtje nga përgjegjësit institucionalë, në vend se të lëvizet çdo gur në arenën ndërkombëtare.

As kryeministri Albin Kurti dhe as presidentja Vjosa Osmani nuk po e thonë asnjë fjalë për deklarimin e Vuçiqit se Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet e kanë çnjohur Kosovën, shkruan Demokracia.com.

Vuçiq mbrëmë në fjalimin vjetor të tij deklaroi se përveç këtyre nëntë shteteve, po pritet që Kosovën ta çnjohë edhe një vend i dhjetë.

“Para nesh janë sfida të vështira sa i përket Kosovës. Ne donim paqen, mezi ia dolëm ta ruanim, jo ​​për fajin tonë. Nuk provokuam askënd për asnjë sekondë, përveç nëse disa thonë se është një provokim që ne e perceptojmë Kosovën ose qytetarët tanë në Kosovë si qytetarë dhe bashkëqytetarë tanë dhe se e perceptojmë si pjesë të territorit tonë në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi ndër të tjera ai.

Derisa heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme karshi kësaj deklarate është e çuditshme, ish-kryediplomatja Vlora Çitaku ka kërkuar një përgjigje nga dikasteri përgjegjës për politikë të jashtme.

“…Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë”, deklaroi ndër të tjera Çitaku.

Edhe Artan Behrami, që ishte këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe diplomat i Kosovës, ka thënë se nëse pretendimet e Vuçiqit dalin të vërteta, atëherë fajin kryesor duhet ta bart kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.

“Nëse dalin pretendimet e Vuçiqit për çnjohjen e nëntë shteteve të vërteta, atëherë meritat nuk i ka as Vuçiqi e as Daciqi, por i ka Donika Gërvalla”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

Sqarime nga ana e Gërvallës për deklarimet e Vuçiqit janë kërkuar edhe nga shoqëria civile. Njohësi i rrethanave politike, Imer Mushkolaj, ka kërkuar version nga ministrja përgjegjëse për punë të jashtme.

“A mundet me na tregu Donika Gërvalla a e ka tërheq zyrtarisht ndonjë shtet njohjen e Kosovës? Nëse jo, a mundet me i demantu pretendimet e Beogradit? Apo, si zakonisht, s’ka përgjigje, s’ka transparencë, ka veç heshtje”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Vuçiq në vazhdimësi ka pretenduar se ka në sirtarin e tij shtatë çnjohje dhe se do të bëhen të ditura “kur të jetë e nevojshme”.

Fushata e çnjohjeve ndaj Kosovës prej anës së diplomacisë së Serbisë u pati pezulluar për një vit, falë Marrëveshjes së Washingtonit, përkatësisht pikës së moratoriumit, ku kërkohej që të ndalohej lobimi kundër Kosovës. Përkundër insistimeve të diplomacisë amerikane për vazhdimin e mëtutjeshëm të marrëveshjes së moratoriumit, Qeveria Kurti ka refuzuar ta bëjë këtë.