Hashim Thaçi

9 muaj në izolim të plotë pa takuar as familjarët, avokati i Thaçit flet për gjendjen e ish-presidentit

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet prej 16 muajve në paraburgim në Hagë, aty ku po vazhdon gjyqi ndaj tij dhe tre përfaqësuesve të tjerë të UÇK, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit.

Avokati i tij, Dastid Pallaska në një lidhje me emisionin “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se për rreth 9 muaj, Thaçi ka qenë në izolim të plotë dhe nuk ka mundur të takojë asnjë prej familjarëve të tij, për shkak të masave anti-Covid.

Ai ka thënë se ish presidenti është në gjendje të mirë emocionale dhe i përqëndruar në përgatitjen e mbrojtjes së tij.

“Prej momentit kur është dërguar në paraburgim, tani bëhen 16 muaj ka qenë në një gjendje jashtëzakonisht të mirë shpirtërore, i përqendruar vetëm në përgatitjen e mbrojtjes së tij. Emocionalisht është shumë i fortë”, ka thënë ai.

Avokati i ish-presidentit ka konfirmuar se për 9 muaj Thaçi nuk ka takuar asnjë anëtar të familjes.

“As nuk ka mundur të takojë asnjë anëtarë të familjes. Rreth 9 muaj ka qenë në izolim të plotë. Asnjë vizitë. Vizitat e para familjare janë lejuar në periudhën e verës, në korrik, mos gabohem”, ka thënë ai.