Shkëputja e Kontratës Kolektive, SBASHK e quan vendim të njëanshëm nga ana e MASHTI-t

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ka bërë shkëputjen e Kontratës Kolektive me SBASHK-un, e cila ishte nënshkruar më 22 janar 2021.

Shkëputja e kësaj Kontrate nga MASHTI u tha se u bë për shkak të shkeljeve të shumta ligjore.

E ky vendim i MASHTI-t po cilësohet i njëanshëm dhe i paligjshëm nga ana e përfaqësuesve të SBASHK-ut.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shkëputja e Kontratës Kolektive është bërë njëanshëm nga MASHTI, dhe se për të njëjtën do të ndjekin rrugët ligjore.

“Shkëputja e Kontratës Kolektive vetëm nga ana e Ministrisë është e paligjshme sepse në kontratë shkruan se e njëjta nuk mund të shkëputet njëanshëm. Ne do ti ndjekim rrugët ligjore dhe do ta zgjedhim këtë çështje. Do ta kontestojmë në gjykatë këtë shkëputje të njëanshme të Kontratës”, ka thënë Shala.

Ajo më tej ka shtuar se ky vendim nuk i kontribuon dialogut mes MASHTI-t dhe SBASHK-ut.

“Shkëputja e Kontratës Kolektive njëanshëm nga ana e MASHTI-t nuk i kontribuon aspak dialogut social mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t. Nuk kemi qenë të njoftuar e as nuk është diskutuar paraprakisht për shkëputje të kontratës”, tha Shala.

Ndryshe dje nga MASHTI i kanë thënë Telegrafit se për shkak të shkeljeve të shumta ligjore, Ministria e Arsimit ka iniciuar shkëputjen e kontratës kolektive e nënshkruar më 22 janar 2021, dhe se i kanë ftuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit që të negociojnë kontratë të re të ligjshme që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit.

“Në bazë të njoftimeve nga institucionet kompetente, kjo kontratë ka pasur probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme. Për këtë kontratë nuk ka pasur asnjë vlerësim ligjor, financiar dhe planifikim buxhetor para nënshkrimit”, kanë thënë nga MASHTI.

Kjo Kontratë Kolektive iu mundësonte mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar.