Kuvendi po flet për Trustin, por sa para ka nën menaxhim ky institucion

Kuvendi i Kosovës po shqyrton projektligjit përmes të cilit synohet të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Fondi Pensional i njohur si Trusti. 

Votimi për këtë projektligj ishte vendosur në rend dite në seancën e 22 qershorit mirëpo për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend, seanca plenare u shty për të sot.

Por, sa mjete ka nën menaxhim aktualisht Trusti. Matjet e fundit që ka bërë ky institucion më datë 15 qershor, tregojnë se nën menaxhim janë fiks 2,292,062,258 euro.\Viti 2021 ishte mbyllur në një shumë prej fisk 2,353,174,911 euro, pra ka pasur një renjë prej rreth 70 milionë euro. Por në fillim të qershorit ka pasur një përmbysje të shifrave, por Trusti ditëve të fundit përsëri ka pësuar humbje.

Bordi Drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, bazuar në rekomandimet e Komisionit të Bordit për Investime, në mbledhjen e 17 qershorit 2022 ka vendosur që:

Të shiten 60 milionë euro nga fondi i Lyxor EU Breakeven ETF;

Të shiten 83.6 milionë euro nga fondi i BNY Mellon Real Return;

Të shiten €107 milionë euro nga Nordea Stable Return dhe

Të blihen në tregun sekondar €5 milionë euro fletobligacione të Qeverisë së Republikës së Kosovës me normë interesi 3.74% dhe me maturitet 9.7 vjet.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovës të tërheqin mjete të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Propozimin lidhur me këtë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Ajo u përkrah edhe nga subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një tërheqjeje të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.