77 vjet nga shpërthimi bërthamor në Hiroshima

Qyteti japonez Hirohima të shtunën ka shënuar 77-vjetorin e sulmit bërthamor të shkaktuar nga ShBA-ja që vrau rreth 140 mijë njerëz në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Përfaqësues nga 99 vende dhe Bashkimi Evropian morën pjesë në ceremoninë vjetore në Parkun Përkujtimor të Paqes, ku turma e mbledhur mbajti një moment heshtjeje në orën 8:15 të mëngjesit – momenti i saktë kur bomba e uraniumit amerikan shpërtheu mbi qytet më 6 gusht 1945.

Tre ditë më vonë, një bombë e dytë vrau 70 mijë njerëz të tjerë në Nagasaki.

Në fjalët e tij, kryebashkiaku i Hiroshimës, Kazumi Matsui, i ftoi liderët botërorë të vizitojnë Hiroshimën ose Nagasakin për t’u ndeshur personalisht me pasojat e përdorimit të armëve bërthamore.

“Unë dua që ata të kuptojnë se e vetmja mënyrë e sigurt për të mbrojtur jetën dhe pronën e njerëzve të tyre është eliminimi i armëve bërthamore,” shtoi ai, sipas Kyodo News.

Në hijen e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se “një garë e re armësh po rrit shpejtësinë” dhe shtetet që kanë armë bërthamore duhet të angazhohen për mospërdorim të arsenalit të tyre.

“Është krejtësisht e papranueshme që shtetet që zotërojnë armë bërthamore të pranojnë mundësinë e një lufte bërthamore”, tha ai në fjalimin e përgatitur.

“Hiqni opsionin bërthamor nga tavolina — për mirë”, shtoi ai. “Është koha për të përhapur paqen”.