75 persona vdiqën në Kosovë për një javë si pasojë e COVID-19, gati 14 mijë raste të reja

Më shumë se 10 persona në ditë kanë gjetur vdekjen si pasojë e COVID-19 në Kosovë javën e fundit. Nga 19 gushti e deri më sot, 25 gusht, çdo ditë janë regjistruar afro 2000 raste të reja pozitive duke e regjistruar kështu javën më të rëndë që nga fillimi i pandemisë.

75 persona kanë humbur betejën me virusin në 7 ditët e fundit, ndërsa janë regjistruar saktësisht 13 mijë e 956 raste të reja, në valën e re të pandemisë në vend.

Dita më e rëndë në mesin e këtyre shtatëve të fundit ka qenë 23 gushti kur u regjistruan 17 vdekje. sa i përket rasteve të reja, sot, e mërkurë, u regjistruan 2541 raste të reja në ditën rekord.

Me rritjen alarmante të rasteve të reja, numri i rasteve aktive me COVID-19 ka shkuar në 23 mijë e 845.