70 për qind e stafit të QKMF-së në Prishtinë e kanë kaluar Covid-19, më shumë se gjysma janë vaksinuar

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Rrezart Halili, ka deklaruar se 70 për qind e stafit shëndetësor kanë kaluar virusin dhe mbi 60 për qind e stafit janë vaksinuar.

Halili tha më tej se janë ballafaquar me mungesë të stafit, për çka edhe ka ndikuar në kryerjen e punëve.

“QKMF-ja ka pasur sfidat e veta, virusin e kanë kaluar 70% e stafit shëndetësor, do të thotë me një mungesë të tillë të punëtorëve gjatë kësaj kohe të pandemisë ka qenë mjaft sfiduese, duke arritur t’i kryejmë shërbimet e duhura, këtu edhe falë mbështetjes së komunës së Prishtinës që na ka lehtësuar me staf mbështetës”, ka thënë Haliti.

“…mbi 60% të stafit janë vaksinuar, duke përfshirë edhe veten time. Me këtë numër të imunizimit edhe numrin të cilin vetëm  e kanë kaluar virusin, besoj se do ketë një stabilitet sa i përket organizimit të punë së mirëfilltë sa i përket Qendrave të Mjekësisë Familjare”, deklaroi ai.

Tutje ai tha se luftimi i pandemisë dhe hapja totale e vendit bëhet vetëm duke koordinuar bashkërisht që situata me pandeminë të lehtësohet.

“Unë mendoj që luftimi i pandemisë dhe hapja sa më e shpejtë e shtetit tonë është një imunizim i mirëfilltë i koordinuar mirë dhe i pranuar mirë nga qytetarët duke mos prejidikuar lidhur me efektet e imunizimit apo vaksinës, se sa ajo do na jep neve siguri që ne të ardhmen të mendojmë për reformat tjera shëndetësore”, ka deklaruar Haliti për EkonomiaOnline.

Mbështetja e komunës së Prishtinës ka bërë që situata financiare të jetë e lehtë për ta, duke u ofruar shërbime qytetarëve dhe sidomos testet serologjike, që ai thotë se janë të kushtueshme.

“Në aspektin financiar mendoj që Komuna e Prishtinës gjendet në një situatë relativisht të mirë, sa i përket mbulimeve të shpenzimeve kapitale, shpenzimeve, andaj nuk kemi ndonjë vërejtje në qeverisjen komunale sepse na ka përkrahur neve dhe duke ofruar disa shërbime që për sektorin privat janë shumë të kushtueshme, testet serologjike që janë ofruar falas për qytetarë, ditemeri një analizë mjaftë e kërkuar nga qytetarët, dhe shërbime tjera”, deklaroi Halili.

Ai mes tjerash tha se rreziku më i madh është nga gjendja e pacienteve pas përfundimit të Covid-19, ku problemi kryesor do jetë shëndeti mendor i qytetarëve.

“Duhet cekur që  edhe qkmf prishtina ka gjetur një hapësirë që të ofrojë edhe shërbime virtuale për qytetarët e Prishtinës me qëllim të shmangies së kontaktit të tyre me pacientët e tjerë që vinë në vizita shëndetësore në qkmf, pra është një risi, ku së fundmi jemi duke u munduar që të ofrojmë edhe këshilla të shëndetit mendor, ku unë e shoh si problem pas Covidit që do jetë sindromi i shëndetit mendor”, ka deklaruar ai.