6 vjet, 5 skuadra: Rënia e Donis Avdijaj – dikur vlente 49 milionë euro, sot ia tregojnë derën edhe te Trabzonspori

Punët nuk po ecin aspak mirë për yllin kosovar Donis Avdijaj, i cili dikur shihej si e ardhmja e futbollit në Gjermani.

Ish anëtari i Schalke 04 dhe grupmoshave të reja të Gjermanisë, po lë në hije talentin e tij të madh për futbollin, me sjelljet jo të mira të tij, dhe disiplinën e ulët. Së fundmi, lojtarit i është shkëputur përsëri kontrata, nga gjiganti turk, Trabzonspor, shkruan lajmi.net.

Më 8 korrik të vitit 2019, Avdijaj pajtohej për një kontratë një vjeçare me Trabzonspor, me mundësi vazhdimi për tri vite, por sot kontrata e tij është ndërprerë.

Avdijaj zinte hapësira të mëdha në mediet evropiane gjatë kohës kur ishte te Schalke 04, kur me U17 shënonte 59 gola në 53 ndeshje, dhe në kategorinë U19 gjente 17 herë golin në 24 paraqitje, duke fituar kështu ftesën me skuadrën e parë. Schalke i vendoste lojtarit një klauzolë të vlefshme rreth 40 milionë euro, por duket se kjo ishte një barrë e papërballueshme për yllin kosovar, e cila do t’i prishte kordinim pas disa viteve.

Fillimisht, Donisi do të huazohej për 18 muaj te Sturm Graz, ku do të kishte paraqitje mjaft të mira, duke shënuar qysh në debutim. Në Graz, ylli kosovar do të luante deri në vitin 2016, para se të kalonte në Superligën e Holandës.

Në vitin 2018, Avdijaj luante me Roda, në formë huazimi, ku në 11 paraqitje shënoi tri gola, shkruan lajmi.net.

Avdijaj tërhoqi vëmendje në Holandë, duke bërë që edhe skuadra të tjera të interesohen për shërbimet e tij. Willem II siguroi shërbimet e lojtarit të Schalke, i cili sezonin 2018/19 e kaloi me Willem, ku do të shkëlqente në gjysmën e parë të sezonit.

Në 15 paraqitje me skuadrën holandeze, Avdijaj do të shënonte katër gola, para se të ‘përjashtohej’ nga skuadra, për shkak se organizoi një grup lojtarësh që të iknin nga hoteli, për të shkuar në festa nate.
Kjo ngjarje vërtetonte edhe një herë se qejfet e kota të Avdijaj i shkatërruan atij një të ardhme në futbollin gjerman, e po i prishin edhe kaq pak mundësi sa i kanë mbetur.

Trabzonspor ishte shpëtimi i mundshëm i Avdijaj. Gjiganti turk i ofroi një kontratë një vjeçare, me mundësi vazhdimi për tri të tjera. Por, sot ai ka shkëputur kontratën me këtë skuadër, duke mos arritur të bind trajnerin, përkundër faktit se iu kishin dhënë disa mundësi që të tregonte veten. Sjelljet e tij pranuan kritika edhe në Turqi.

Situata nuk eci mirë për lojtarin as me kombëtaren e Kosovës – dhe, sigurisht, jo për faj të talentit të tij. Avdijaj vinte te Kosova si një yll në rritje, kur grumbullohej për herë të parë më 20 mars të vitit 2017. Ai debutonte në ndeshjen kundër Islandës, nën urdhrat e Albert Bunjakut, shkruan lajmi.net.
Por, gjërat nuk vazhduan mirë për kosovarin. Ankesat e djaloshit për mungesën e minutave nuk ‘shkrepën’ me selektorin Bernard Challandes, i cili menjëherë i tregoi atij vendin e vet. Avdijaj gjurmët e fundit me kombëtaren e Kosovës i la kundër Maltës, në kuadër të Ligës së Kombeve, kur gjente rrugën e golit. Në eliminatoret për Euro 2020, nuk pati asnjëherë vend për emrin e Donis Avdijaj, në emëroret e Challandes.

Tashmë, pasi ka shkëputur kontratën me Trabzonspor, është skuadra skoceze Hearts që ka shfaqur interesim për shërbimet e ofensivit të Kosovës. Donis Avdijaj, ‘telashegjiu’ që shihej si e ardhmja e futbollit në Gjermani, tashmë dështoi edhe në Superligën e Turqisë. Një nga lojtarët me talentin më të madh te Kosova, po tradhtohet nga teket e tij jo të përshtatshme për futbollin. Skocia mund të jetë mundësia e tij e ardhshme. Mbetet të shihet se cili do të jetë hapi i ardhshëm i potencialit të madh, Avdijaj.