6 vjeçari që u vra tragjikisht me armë zjarri, varroset nesër në Broliq të Deçanit

Djali 6 vjeç D.Ç. nga fshati Broliq i Deçanit u vra me armë zjarri në veturën e babait të tij, ku edhe ndodhej arma që besohet se është me leje.

Mësohet se babai i të miturit punon në një institucion financiar që merret me transfere parash dhe kjo është arsyeja pse ai e mbante armën në veturë.

Kosova është tronditur sot nga vdekja tragjike e gjashtë vjeçarit. Policia dhe Prokuroria nuk e di ende nëse 6 vjeçari u vra nga vëllai i tij 8 vjeçar. Ekziston edhe dyshimi tjetër se viktima gjatë lojës me armë zjarri ka mundur ta shkrep edhe vetë plumbin. Për ta sqaruar përfundimisht këtë situatë, prokuroria po pret raportin e obduksionit.

“Rasti dyshohet se ka ndodh brenda veturës, ku fëmijët kanë qenë duke lozur në veturën e prindit të tyre. Brenda veturës ka qenë edhe arma e cila besohet se është me leje. Prindi e mban armën me vete sepse punon në një institucion që transferon para”, tha ky burim.

Deon Çekaj do të varroset nesër në varrezat e fshatit Broliq, raporton Ballkani.info.

Varrimi do të bëhet në orën 14:00.

I mituri kishte marrë lëndime vdekjeprurëse nga arma e zjarrit në kokë. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi i emergjencës, ndërsa për rastin në fjalë ka folur zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi. /Ballkani.info/