59 aktakuza për 24 orë

Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur 59 aktakuza kundër 67 personave, për vepra të ndryshme penale.

Po ashtu, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë, 15 persona, si dhe janë bërë shtatë kërkesa për caktimin e paraburgimit të tetë personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

Gjithashtu, janë bërë tre kërkesa për sekuestrim, dy kërkesa janë bërë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për shkak të veprës penale “Kontrabandim i mallërave“, ndërsa, një kërkesë nga Prokuroria Themelore e Pejës për sekuestrimin e disa trungjeve dru teknik, një veturë e llojit VW dhe dru të llojit ahu, 14 mjete (çipa, karta, kufera) të dyshuara se janë përdorur për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave pridamidale”, si dhe një automjet i llojit Passat dhe çelsat e veturës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit për një person për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar “ dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar gjashtë persona të dyshuar.Po ashtu, kjo prokurori, ka bërë tre kërkesa për caktim të masës së paraburgimit për katër persona, si dhe gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur 15 aktakuza kundër 15 personave për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka bërë dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, për dy persona , si dhe ka ngritur gjashtë aktakuza kundër 10 personave për vepra të ndryshme penale të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar katër persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale. Një person i dyshuar është arrestuar pasi të njëjtit gjatë bastisjes i janë gjetur një numër i konsiderueshëm i armëve të llojeve të ndryshme, për çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Dy persona janë ndaluar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Vjedhje pylli“, ndërsa një person është ndaluar për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve”. Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim 48 orësh.
Gjithashtu kjo prokurori, gjatë 24 orëve të fundit, ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave penale “Ndërtimi pa leje” dhe “Kanosje”, ka bërë një kërkesë për sekuestrim, si dhe ka ngitur katër aktakuza ndaj katër personave për shkak të veprave të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur 11 aktakuza, kundër 14 personave.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar një person të dyshur, po ashtu, ka ngritur pesë aktakuza kundër pesë personave për vepra të ndryshme penale.

Brenda 24 orëve Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ndaluar një person, për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara “, ka bërë dy kërkesa për sekuestrim për shkak të veprës penale “Kontrabandim i mallërave“, si dhe ka ngritur dhjetë aktakuza kundër 11 personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy persona të dyshuar, në dy raste të ndara dhe ka ngritur tetë aktakuza kundër tetë personave për vepra të ndryshme penale.

loading…