53 qytetarë u sulmuan më 2018 nga qentë endacak

Me grupe të tilla qensh përballen shpesh qytetarët e Prishtinës.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, 53 qytetarë kanë kërkuar ndihmë nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, si pasojë e sulmeve nga qentë nëpër kryeqytet.

Sipas statistikave të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, vetëm në qendrën që gjendet në Lagjen “Mat”, kanë qenë 11 raste, ndërsa në “Velani” 10 të tilla.

Banorët thonë se zakonisht në mëngjes dhe mbrëmje, përballen me rrezik të madh nga qentë endacakë, raporton “038” i KTV-së.

Numri i tyre nëpër rrugët dhe lagjet e kryeqytetit është i madh. Institucionet nuk kanë statistika të sakta për numrin e tyre.

Komuna ka nënshkruar kontratë me vlerë prej 100 mijë eurosh me Qendrën për Trajtimin e Kafshëve, për trajtimin e qenve gjatë këtij viti.

Ekipet e saj bëjnë kapjen, sterilizimin dhe vaksinimin e qenve kundër tërbimit. Por, në mungesë të një qendre të përhershme strehimi, qentë lirohen pas 72 orëve në vendin ku kapen.

Në rritjen e numrit të tyre, sipas zyrtarëve të komunës, ndikon migrimi dhe lëshimi i qenve shtëpiakë nga qytetarët.

E, nga Qendra për Trajtimin e Kafshëve thonë se u lejohet që qentë që shfaqin agresivitet të lartë dhe që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme, t’i eliminojnë përmes vënies në gjumë të përhershëm.

Florim Ferati, menaxher në këtë Qendër, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i adoptojnë këta qenë, pasi thotë se kjo ndihmon shumë në uljen e numrit të tyre nëpër rrugë.

Kjo qendër, brenda një viti trajton rreth 1 mijë e 300 qen endacakë në Komunën e Prishtinës.