500 mijë euro premi për futbollistët e Kosovës nëse kualifikohen në Euro 2020

Sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu, ka bërë të ditur në T7 se do të ketë premi për futbollistët dhe trajnerët e Kosovës në rast kualifikimi në “Euro 2020”.

I ftuar në emisionin “Favorit” në T7, sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka bërë të ditur se lojtarët dhe trajnerët e Kosovës do të shpërblehen në rast të arritjes historike, kualifikimit në “Euro 2020”.

“Sigurisht se do të ketë premi, ka qenë edhe më përpara. Sipas mundësive tonë janë të larta premitë, por të jeni të bindur se asnjë lojtarë nuk e mendon këtë”, u shpreh Salihu.

Ai tha se 500 mijë euro, është shifra e premisë për “Dardanët”.

“Në anën tjetër, vet kryeparalamentari, Kadri Veseli, ka premtuar dhe e ka mbajt premtimin për një premi prej 500 mijë eurosh dhe shpresoj se sipas ministrit Gashi, para këtyre ndeshjeve do t’i ndahen lojtarëve”, tha Salihu në “Favorit” të televizionit T7.

“Por, po e përsëris, asnjë lojtarë nuk e sheh kurrfarë motivimi që merr një premi nga Federata e Futbolli të Kosovës”, tha ai.

Pas arritjes historike në Ligën e Kombeve, Kosova do të nisë me 25 mars rrugëtimin për “Euro 2020” me ndeshjen e parë kundër Bullgarisë në Prishtinë.

Kosova gjendet në Grupin A së bashku me Anglinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Malin e Zi.

Nëse Kosova dështon të kualifikohet në “Euro 2020” përmes kësaj kampanje kualifikuese, shansin tjetër e ka përmes “Play-Off-it” të Ligës së Kombeve, ku në gjysmëfinale të Ligës D do të përballet me Maqedoninë