5 dëshmi të fuqishme se Serbia po ia kthen shpinën Evropës

Rruga evropiane e Serbisë u pengua nga shumë gjëra: dështuan në fushën e sundimit të ligjit dhe institucioneve të forta dhe të pavarura; mungesa e trajtimit të ndershëm me krimin dhe korrupsionin; çështja e pazgjidhur e Kosovës, mos vendosja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tani anulimi i Europride.

Për shkak të mos vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, BE-ja bllokoi hapjen e grupeve të reja në negociatat me Serbinë, qeveria ndaloi mbajtjen e Europride në Beograd dhe Aleksandar Vuçiç tani po shpall formimin e një organizate të re – “blloku serb” i cili nuk do të jetë as për Lindjen dhe as për Perëndimin. E gjithë kjo tregon se politika e jashtme e Serbisë po ndryshon, edhe pse vetë Vuçiq premtoi një rrugë më të shpejtë drejt BE-së kur bën betimin presidencial, shkruan media e pavarur serbe, Nova.

Autoritetet serbe për një kohë të gjatë nuk i interesojnë vlerësimet negative që vijnë nga Brukseli dhe vendet më të fuqishme të BE-së dhe këtë vit vetëm se mund ta prishin më shumë përshtypjen. Së bashku me Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe presidenti Aleksandar Vuçiq deklaroi se qëndrimi i Beogradit për këtë çështje nuk ka ndryshuar.

Tashmë në listën e vlerësimeve negative i është shtuar edhe vendimi për ndalimin e Europride, edhe pse Parada e Krenarisë është mbajtur pa problem vitet e kaluara.

Nemanja Todoroviq Shtiplija, politikan dhe redaktor i portalit European Western Balkans, thotë për “Nova” se mbajtja e Europride ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut dhe kapitullin 23, i cili është kyç në Kornizën Negociuese, dokument i miratuar bashkërisht nga Qeveria e Serbisë dhe Komisioni Evropian.

“Kapitulli 23 është vendosur si një nga kapitujt bllokues, domethënë nëse nuk ka përparim në atë kapitull, nuk do të ketë as hapje negociatash. Serbia jo vetëm që nuk ka bërë asgjë në aspektin e reformave që do të çonin në ushtrimin e të gjitha të drejtave të një grupi apo pakice shoqërore brenda sistemit ligjor serb, por edhe pengohet në disa liri të garantuara me Kushtetutë. Në gjashtë vitet e fundit kemi institucione të rrënuara që nuk mund të reagojnë në këtë rast – nuk ka asnjë reagim nga Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese, nuk ka as ministër për të drejtat e njeriut”, thekson Shtiplija.

I pyetur se ku saktësisht është Serbia tani në procesin e integrimit evropian, ai thotë se Serbia e ka lënë rrugën evropiane.

“Ajo u largua në momentin që hoqi dorë nga reformat në fushën e sundimit të ligjit, kur e solli demokracinë në këtë nivel që po e përjetojmë të gjithë tani. Në fillim të negociatave me BE-në, Serbia evropiane kishte dy synime të qarta – reformën e shtetit të së drejtës, gjegjësisht kapitujt 23 dhe 24, dhe arritjen e një akti ligjërisht obligues në dialogun me Kosovën. Në ndërkohë, Serbia i imponoi vetes edhe dy pika, gjendja e demokracisë në të gjithë vendin dhe përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Mund ta lexojmë si vendosje sanksionesh kundër Rusisë dhe jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe ndaj disa palëve të tjera”, thotë Shtiplija.

Pas një agjërimi të gjatë, Serbia hapi një grup të ri në dhjetor të vitit të kaluar. Në qershor të këtij viti, kur gjoja ishte gati hapja e grupit 3, nuk ndodhi. Ministrja për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq, më pas deklaroi se arsyeja ishte se Serbia nuk e respektoi regjimin e masave kufizuese (kundër Rusisë).

Pavendosmëria dhe paaftësia e politikës serbe

Branka Latinoviq, diplomate dhe ish-ambasadore në OSBE, thotë për “Nova” se kjo temë ka qenë e pranishme që nga viti 2014, kur pas aneksimit të Krimesë, BE-ja gjithmonë vendosi masa kufizuese ndaj Rusisë. Tani, shton ajo, kjo ka dalë në pah për shkak të asaj që po ndodh në Ukrainë, por edhe për shkak të rritjes së numrit të sanksioneve që janë vendosur dhe vazhdojnë të vendosen ndaj Federatës Ruse.

“Është një temë latente që gjithmonë është ngritur në mënyrën e duhur. Ne nuk e bëmë këtë as në vitin 2014 dhe tani dukshëm po i tensionon marrëdhëniet tona me BE-në në tërësi, veçanërisht në kontekstin e negociatave të anëtarësimit. Kjo do të mbahet në mënyra të ndryshme nëse nuk ndërmerren hapat e duhur nga qeveria e re”, përfundon Latinoviq.

Ajo vlerëson se ky vit ishte mjaft i humbur sa i përket rrugës evropiane të Serbisë, përkatësisht vazhdimësisë së aktiviteteve për vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në BE.