48 orë shtyrje afati, qarkullimi në Jarinje dhe pikat tjera kufitare po zhvillohet normalisht

Që nga orët e para të mëngjesit në pikën kufitare në Jarinje, pati qarkullim të automjeteve pa asnjë problem.

Sot parashihej që Policia e Kosovës të filloj shqiptimin e gjobave për serbët të cilët nuk kanë konvertuar targat ilegale të automjeteve në ato RKS.

Por gjithçka ndryshoi në orët e vona të natës së kaluar, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se ka pranuar propozimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, që afati për shqiptimin e gjobave të shtyhet për 48 orë të tjera.

Ambasadori Hovenier tha se këtë kërkesë ia bëri qeverisë në mënyrë që t’ia lejojë ShBA-ve dhe BE-së, që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, është shprehur Hovenier.

Ndërsa Kurti falënderoi ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij, derisa tha se e pranon kërkesën e tij.

“E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për një shtyrje 48 orëshe për dhënien e gjobave për targat ilegale KM (dhe të tjera). Jam I lumtur të punojë me SHBA-në dhe me BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kryeministri në Twitter.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në Bruksel është zhvilluar takim prej 8 orësh në mes kryeministrit Albin Kurti, si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE-së, Joseph Borrell, si dhe përfaqësuesit Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas përfundimit të këtij takimi, Borrell deklaroi se propozimin e bërë nga BE-ja që Kosova të mos shqiptojë gjoba dhe Serbia të ndalojë lëshimin e targave “KM”, e pranoi Vuçiq, por jo edhe Kurti.
Ndërsa kryeministri Kurti tha se Borrell hoqi dorë nga propozimi për normalizim marrëdhëniesh.

Zhvillime të njëpasnjëshme pati javëve të fundit në veri të Kosovës, ku gjithçka nisi pikërisht me çështjen e targave.

Si fillim u shkarkua drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq. Pas kësaj rreth 600 zyrtarë policorë nga nacionalitet serb dhanë dorëheqje.

Njësoj vepruan edhe nga Lista Serbe, të cilët njoftuan se janë larguar nga institucionet drejtuese të Kosovës, edhe pse të njëjtit ditë më parë janë zëvendësuar në Kuvendin e Kosovës.

Dorëheqje dhanë edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të Doganës së Kosovës e zyrtarë të KQZ-së nga nacionaliteti serb.

Kryeministri Kurti iu bëri thirrje që të kthehen në institucione dhe të mos braktisin ato. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja vazhdimisht është bërë thirrje që drejtuesit e të dyja shteteve të zgjidhin çështjet përmes dialogut.

Po ashtu u kërkua që Kosova menjëherë të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë të cilën e kundërshtoi hapur kryeministri Kurti.

Pas shtyrjes së afatit prej 48 orësh për nisjen e shqiptimit të gjobave prej 150 euro për serbët që nuk kanë ri-regjistruar veturat e tyre, mbetet të shihet nëse zhvillime të reja do të ketë në kuadër të Kosovës dhe Serbisë.