Turqi

4 viktima dhe mbi 180 të lënduar nga zjarret në Turqi, evakuohen turistët

I gjithë jugu i Turqisë është përfshirë gjatë 48 orëve të fundit nga zjarre të mëdha, duke rrezikuar seriozisht sezonin turistik, por edhe jetët e banorëve dhe turistëve që kanë zgjedhur të pushojnë këtë fund korrik në këtë zonë.

Përveç qyteteve, po rrezikohen seriozisht dhe kanë nisur evakuimet nga restortet luksoze edhe në Bodrum e Antalja, ku flakët kanë habitur vendas e të huaj, ndërsa forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë nga ajri dhe toka.

Deri më tani, 3 persona raportohet se kanë humbur jetën nga zjarri të mërkurën, ndërsa mbi 180 të tjerë janë shtruar në spital për shkak të problemeve me frymëmarrjen.

Hotele dhe fshatra të tërë janë evakuuar, teksa qindra vetë në bregdetin jugor, zjarrfikës dhe civilë, po përpiqen të shuajnë zjarret që kanë përfshirë toka, pemë e shtëpi.

Ministri turk i Bujqësisë tha se vendosja nën kontroll e zjarreve do të kërkojë kohë. Aktualisht, janë aktive 16 vatra të mëdha zjarri. Në aksion, janë përfshirë 457 makina zjarrfikëse, 35 avionë dhe personel prej 4 mijë forcash në terren.