4 familjarë të ish-inspektorit të AKI-së punësohen në Aeroport

Së paku 4 familjarë ka punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ish-inspektori i AKI-së, tash avokat i ANP-së, Shkëlzen Sopjani.

Sipas burimeve avokati Sopjani pak kohë nga deportimi i gylenistëve, në Aeroport ka “rehatuar” vëllain Blerimin, nipin Dardanin, bashkëfshatarin Jeton Zogiani e nipin e familjes së tij Dëfrim Selimin.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga Sopjani lidhur me familjarët e punësuar, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet.

Lidhur me punësimet në ANP, televizioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga drejtori i burimeve njerëzore, Basri Zuka. Ai nuk ka pranuar të përgjigjet me arsyetimin se për çfarëdo çështje duhet të kontaktojmë me zyrtarë të komunikimit e jo direkt me të.

Por pyetjeve të televizionit nuk janë përgjigjur nga Zyra për Komunikim me Publikun në Aeroport që nga java e kaluar, përkundër premtimit se një gjë të tillë do ta bëjnë këtë të hënën, më 5 tetor.