394 milionë euro investime, ministri Shala: Këto janë investimet më të mëdhaja në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur dy investitorët e radhës strategjik, të cilët kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional.

Sipas Shalës, subjektet aplikuese kanë planifikuar të investojnë në Kosovë 225 milionë euro, përcjell Ballkani.info.

Nëse procedurat do të ecin me rregull, këto dy investime së bashku me investimin e “SOWI Kosovo” L.L.C, do të kapin vlerën e 394 milionë eurove dhe do të jenë investimet e huaja më të mëdhaja direkte në Republikën e Kosovës. /Ballkani.info

Postimi i plotë:

Edhe dy investitorë strategjik i kanë përmbushur kriteret teknike për të kaluar në fazën tjetër të vlerësimit nga ana e grupit operacional të cilin e themeluam sot me vendim të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike.

Subjektet aplikuese “Solar Kosova 2020” dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” planifikojnë të investojnë në Kosovë 225 milionë euro.

“Solar Kosova 2020” planifikon investimin e 128 milionë eurove në Komunën e Obiliqit dhe “KelKos-Energy Peja SH.P.K” 97 milionë në Komunën e Pejës. Të dyja këto projekte në energji alternative.

Falë ndryshimeve të bëra në aktet nënligjore të Ligjit për Investime Strategjike, Kosova gradualisht po kthehet në vend atraktiv për investitorët e huaj.

Këto dy investime që janë në procedurë e sipër dhe investimi i “SOWI Kosovo” L.L.C kapin vlerën e 394 milionë eurove, dhe janë investimet e huaja më të mëdhaja direkte në Republikën e Kosovës.