300 qeli me qira për të burgosurit e Danimarkës, eksperti i sigurisë: Barometer që Kosova ka nivel të lartë profesional për burgje

Shteti i Danimarkës nuk po ka vend për të burgosurit. Dhe për të gjetur zgjidhje ka kërkuar ‘ndihmë’ nga Kosova 300 qeli burgu me qira, në këmbim të 210 milionë eurove.

Ministri i Drejtësisë në Danimarkë, Nick Hækkerup do të qëndrojë për vizitë në Kosovë të hënën, ku pritet të zyrtarizohet marrëveshja.

Qendra Korrektuese në Gjilan planifikohet tu jepet me qira danezëve, duke qenë se zyrtarë të lartë të institucioneve korrektuese të Danimarkës në tetor të 2020-s kishin vizituar Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe kjo qendër korrektuese ishte preferuar nga ta.

Drizan Shala e quan një tregues të mirë për drejtësinë kosovare kërkesën e bërë nga shteti danez.

“Situata është një tregues që në fushën e drejtësisë Kosova ka treguar profesionalizëm sa i përket të pjesa e mbarëvajtjes së sigurisë dhe administrimit të burgosurve. Një hap për të jetësuar një veprim pozitiv është barometër që Kosova dhe sistemi korrektues i saj ka nivelin më të lartë demokratik profesional. Ky është një mesazh që duhet edhe institucionet tjera të Kosovës të arrin në standardin dhe nivelin e tij euroatlantik, dhe këtë adut ta përdorin në rrugëtimin e saj në integrim”, thotë Shala për Reporteri.net.

Eksperti i sigurisë shton më tej se në aspektin operacional mbetet të shihet se si do të ndikojë kjo marrëveshje duke patur parasysh që duhet të ketë një lëvizje të burgosurve nga një burg në tjetrin dhe kjo krijon shqetësim në aspektin e sigurisë publike.
“Vlerësojë që kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në qendrat tjera të burgimit në Kosovë duke rritur standardin e tyre bazuar në atë të cilin do marrin danezët në shfrytëzim”, thotë Shala.

Ai më tej thotë se mbetet për t’u adresuar në aspektin e sigurisë vizita e familjarëve të burgosurve danez.

“Por një çështje mbetet për të adresuar që është në aspektin e sigurisë ku dihet që këta të burgosur nga Danimarka do kenë mundësi që familjaret e tyre ta vizitojnë Kosovën dhe a do mund të paraqitet ndonjë situatë e cila mund ta cenojë sigurinë, mendojë që në këtë pikë duhet të ketë transparent të plotë nga Ministria e Drejtësisë”, thotë Shala.