30 vjet Gjykatë Kushtetuese, Begaj: Funksionimi i demokracisë, kusht i panegociueshëm

Në 30-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj foli për problematikat e evidentuara nga progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian në lidhje me sistemin e drejtësisë.

Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi disa prej tyre duke shtuar se procesi i vetingut duhet të ecë me ritme më të shpejta, por pa dëmtuar cilësinë e procesit dhe transparencën.

“Që nga viti 1992, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar çështje të natyrave të ndryshme dhe është konfirmuar si një institucion i balancuar. Emra të shquar të jurisprudencës shqiptare kanë qenë pjesë e saj dhe kanë hedhur themelet. Vlerësime për anëtarët e kësaj gjykate që kanë punuar me përkushtim. Dita e duhur për të mbështetur trupën e gjykatës në punën e tyre për të garantuar që pushteti ushtrohet brenda legjitimitetit dhe që interesi publik është i mbrojtur në çdo rast. Ndryshimet ligjore e kanë vënë Kushtetuesen para sfidave. Reforma në drejtësi e mbështetur nga partnerët ka sjellë zhvillime pozitive për gjykatën dhe aksesin në drejtësinë kushtetuese. Është mundësuar një përzgjedhje më e mirë e anëtarëve bazuar në profesionalizëm. Transparenca mbetet prioritet. Funksionimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës është një kusht i panegociueshëm. Raporti i progresit ka vënë në dukje dhe problematikat që kanë cenuar eficencën e gjyqësorit. Raporti bën thirrje për përmirësim të ritmit të vetingut pa dëmtuar cilësinë e procesit, si dhe rritjen e transparencës”, tha Begaj, shkruan A2Cnn.