Vrasja mizore e Liridona e Ademajt mbrëmja e 29 nëntorit tronditi mbarë Kosovës.

30-vjeçarja u vra me armë zjarri derisa po shkonte në shtëpinë e saj bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshortin, ky i fundit i dyshuar se porosit dhe organizoi vrasjen e saj.

Mbrëmjen e 29 nëntorit, kur edhe ndodhi ngjarja tragjike, Naim Murseli deklaroi para hetuesve policorë se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat, shkruan Ballkani.info.

Tutje, duke u munduar ta kamuflonte rastin, Murseli kishte deklaruar se ishte detyruar që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri.

Të premten, 30-vjeçarja Liridona Ademaj u varros në varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës.

Derisa në opinion hidheshin dyshime lidhur me implikimet e tij në vrasjen e gruas së tij, Murseli qëndroi i heshtur derisa u pa në varrimin e gruas së tij gjatë të premtes në Gjakovë.

Ai, u tregua edhe i revoltuar me mediat në ceremoninë e varrimit, ndërsa u desh ndërhyrja e hoxhës për të qetësuar situatën.

Naimi, i kishte dërguar edhe lule gruas së tij, tashmë të ndjerës, Liridona Murselit, vrasjen e së cilës e kishte paguar me para tek bashkëfshatari i tij, Granit Plava.

Po atë ditë, vetëm pak orë pas varrimit të saj, policia doli me njoftim se dy persona u arrestuan, nën dyshimin se ishin të përfshirë në vrasjen e Liridonës.

Të arrestuarit rezultuan të jenë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dorasi Granit Plava.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë”, kishte njoftuar policia.

Granit Plava, dyshohet të jetë dorasi që i mori jetën Liridonës mbrëmjen kritike të së mërkurës së 29 nëntorit.

Naim Murseli, bashkëshorti prej disa vitesh i Liridonës, dyshohet të ketë implikuar vrasjen e Liridonës, duke e urdhëruar atë.

Të dy raportohet të kenë pranuar veprën penale: urdhrin e vrasjes dhe kryerjen e saj

Pak më vonë, Policia ka arrestuar edhe një person të tretë, i dyshuar për bashkëpunim me dyshen Murseli-Plava.

Kushtrim Kokolla, pjesëtar i FSK-së, dyshohet se është bashkëpunëtor në kryerjen e këtij krimi.

Në anën tjetër, po atë ditë familja e Liridonës kërkoi që të bëhet zhvarrosja e saj, dhe se trupi i Liridonës të pushojë në varrezat e fshatit Rracaj, në vendin ku ajo kishte lindur.

Ndërkaq, familja Murseli, pas arrestimit të Naimit, njoftoi se ka anuluar të pamën për Liridonën.

Me 4 dhjetor, me kërkesë të familjes së saj, trupi i Liridona Ademjat u zhvarros nga fshati Cërmjan për tu rivarrosur në fshatin e saj të lindjes në Rracaj.

Në rivarrimin e të ndjerës morën pjesë qindra qytetar si dhe disa nga ministrat e Qeverisë Kurti, si ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, deputetët Mimoza Kusari-Lila, Hajdar Beqa dhe Saranda Bogujevci etj.

Çka thotë dosja e Prokurorisë: Si e organizoi Naim Murseli vrasjen e gruas?

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur  si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën.” “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë, raporton Kallxo.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas vendimit të gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka.”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.

Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshihet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Lidhur me pretendimin e prokurorisë se Murseli kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ishte deklaruar vetë i dyshuari në seancën dëgjimore duke thënë  se ai nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe se kishte qenë vetë i rrezikuar.

“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë” – thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.

Avokati Ahmet Ahmeti kishte thënë se Naim Murseli nuk e ka kryer veprën penale në vend, kohë dhe mënyrë siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë dhe nuk është i përfshirë në vrasje.

“I mbrojturi im nuk është fare i involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk ka arsyje të përsëris veprën penale se nuk e ka bë”- kishte thënë avokati Ahmeti.

Në bazë të kësaj Ahmeti kishte kërkuar nga gjykata që kërkesën për caktimin e paraburgimit të mos e aprovojë, apo të caktojë një masë alternative./Ballkani.info/