Tre shtetas kinezë janë në mesin e të vrarëve pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit, tha të enjten Ministria e Jashtme e Kinës. Dy të tjerë janë të zhdukur.

“Është konfirmuar se tre shtetas kinezë u vranë për fat të keq në konflikt, dy janë të zhdukur dhe disa të tjerë u plagosën”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, pa përmendur Hamasin.

“Ne u bëjmë thirrje partnerëve të huaj të bëjnë çdo përpjekje për të kërkuar dhe shpëtuar personelin tonë të zhdukur”, shtoi Wang në një konferencë të rregullt lajmesh, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

Kina ka bërë thirrje për de-përshkallëzimin e situatës pas sulmeve të Hamasit, por ende nuk e ka dënuar grupin.

Ambasadorja e Izraelit në Kinë Irit Ben-Abba shprehu zhgënjimin e saj me përgjigjen e deritanishme të Pekinit në një intervistë me Bloomberg TV të enjten.

“Ne prisnim që Kina të thoshte shumë më tepër,” tha ajo. “Ne prisnim që Kina të përmendte mizoritë e Hamasit, ne prisnim që Kina të dënonte sulmet terroriste.”