28 Nëntori të jetë festë zyrtare, disa festa në kalendar janë të panevojshme
28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, ani pse kjo ditë festohet çdo herë dhe e njëjta shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet shtetërore. Historianë, edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që kjo festë të jetë pjesë e kalendarit të festave zyrtare.
Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.
Por, historiani Frashër Demaj po thotë se është bërë gabim i madh kur është hequr festa e 28 Nëntorit nga kalendari i festave zyrtare.
Ai thotë se 28 Nëntori nuk është festë vetëm e Shqipërisë, por e të gjithë shqiptarëve. Demaj tregon se në vazhdimësi kanë kërkuar nga institucionet e shtetit që të kthehet kjo festë në kalendar.
Ligji për Festat Zyrtare është miratuar në vitin 2008, e qysh atëherë jashtë listës së festave ka mbetur 28 Nëntori.
Nait Hasani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në Kuvendin e Kosovës, thotë se 28 Nëntori nuk e ka vendin tek festat memoriale.
Ai shton se kjo është politikë e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Pakon e Ahtisarit, andaj është e vështirë të ndryshohet.
Ndërsa Rasim Alija, nga D4D, thotë se në çështjen e festës së 28 Nëntorit ka implikime për shkak se Kosova e ka festën e 17 Shkurtit, dhe për shkak të pakicave që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme.
Aktualisht shteti i Kosovës ka 11 festa zyrtare: Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Ditën e Kushtetutës, Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ditën e Evropës, Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, dhe Krishtlindjet Katolike.
Festat si Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës, apo 1 Maji, po konsiderohen të panevojshme në Kosovë, që të jenë festa zyrtare dhe në të njëjtat të jenë ditë pushimi. Dje, Ministria e Administratës Publike ka njoftuar se të gjitha institucionet e Kosovës, për nder të festës së 28 Nëntorit sot do ta kenë ditë pushimi.