Martin Berishaj

24 mijë euro qiraja vjetore, mbi 2 mijë pagë e dreka: Sa i kushton shtetit Martin Berishaj?

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po del të jetë mirë i kompensuar nga shteti i Kosovës.

Kallxo.com shkruan se sipas raporteve të MPJD-së, vitin e kaluar Berishajt i është paguar qiraja vjetore e banesës në Zagreb në shumën prej 24 mijë euro, ose 2 mijë euro për muaj.

Bazuar në hulumtimin në internet, përfshirë atë në ueb-faqen që merret me udhëtimet dhe jetesën në Kroaci, “Inspired by Croatia”, marrja me qira e një apartamenti në qendër të Zagrebit zakonisht kushton 600 euro në muaj për një apartament me një dhomë gjumi në një ndërtesë të vjetër pa ashensor. Por, sipas së njëjtës faqe, apartamentet më të mëdha dhe më të bukura në Zagreb kushtojnë diku midis 800 dhe 1200 euro në muaj.

Paga mujore e Berishajt për vitin 2023 ishte 2 mijë e 746 euro e 71 centë.

Për shpenzimet e sigurimit shëndetësor, shteti i Kosovës ka paguar 4 mijë e 803 euro në vitin 2023. Ndërkaq për telefoni mobile janë paguar 1 mijë e 318 euro e 4 centë.

Bazuar në të dhënat nga MPJD, drekat zyrtare të ambasadorit dhe stafit diplomatik përgjatë vitit 2023 kanë kushtuar 5 mijë e 214 euro e 55 centë. Kurse për derivate të misionit janë paguar 5 mijë e 254 euro 48 centë.