21-vjeçarja që ra nga kati i tretë i hotelit në Pejë në gjendje të rëndë

Po vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në Klinikën Intensive në QKUK, 21-vjeçarja, e cila para dy ditësh ra nga kati i tretë i një hoteli në Pejë.

Për gjendjen shëndetësore të saj, ka folur sot për Gazrtën Express shefi i Intensives doktor Shaqir Uka.

Doktor Uka tha se e reja po vazhdon të trajtohet dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa të njëjtën po e mbajnë në gjumë me barna.

“Po vazhdon me qëndru në gjendje të rëndë, është duke u trajtuar. Është në gjumë me barna”, tha Uka.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha për Express se për rastin në fjalë prokuroria ka autorizuar policinë për marrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbulimin e rrethanave të incidentit.

“Për ketë rast, Prokuroria Themelore e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e të gjitha veprimeve hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, tha Nikçi.

Sipas burimeve brenda Policisë së Kosovës, dyshohet se 21-vjeçarja ra nga kati i tretë i hotelit në Pejë, pak minuta pasi u ngjit lartë.

“Sa ka mujt me u ngjit lartë, brenda pak minutash ka ndodhur rasti”, tha nje burim.

Tutje, i njëjti tha se 21-vjeçarja ka rënë mbi veturën e një personi që ishte duke pirë kafe në hotel dhe më pas vozitësi i saj e ka dërguar për trajtim mjekësor në spital.

Lidhur me rastin janë intervistuar tre dëshmitarë, të gjithë punëtorë të hotelit ku ka ndodhur rasti. Mirëpo nga hoteli nuk kanë dashur të prononcohen për media.

E gjithë ngjarja thuhet se është filmuar nga kamerat e sigurisë së hotelit dhe pamjet tashmë ndodhen në duart e policisë.