Viti që lamë pas ishte ndër periudhat më interesante sa i përket zhvillimeve politike. Natyrisht, akterë më të shpeshtë të këtyre ngjarjeve ishin personazhet e pushtetit të ri.
E kur përmenden ngjarjet politike, një ndër personazhet që s’mund të neglizhohet në përmendje është burri i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, shkruan lajmi.net.
Ky i fundit ishte ndër personazhet më të komentuara të vitit në rrjete sociale e media. Përveç me titull ceremonial si “zotëriu i parë”, Sadriu udhëheq edhe me ambasadën e Kosovës në Shkup, pasi që nga pozita e ambasadorit ishte shkarkuar Gjergj Dedaj.
Përveç kësaj, Sadriu është edhe rezervist në Forcat e Sigurisë së Kosovës.
Por, kjo nuk e kishte penguar asnjëherë Sadriun gjatë këtij viti që t’i vesh kundërligjshëm rrobat e Ushtrisë së Kosovës, e të paraqitet bashkë me presidenten, kryeministrin e ministrat në ceremoninë e përmbylljes së ushtrimit “Defender Europe 21”.
Udhëheqës të FSK-së konfirmonin se nuk ka pasur urdhër për mobilizim të stafit rezervë të FSK-së.


“Zotëriu i Parë” nuk i ndahej uniformës së shtetit as në stadium. Ai në një rast ishte paraqitur për ta parë një ndeshje të kombëtares së Kosovës, në të cilën kishte veshur pantallonat e uniformës së FSK-së. Aty ishte edhe presidentja Osmani.

Por nuk përfundonte me kaq. I kudondodhur Prindon Sadriu ishte edhe në evenimente shtetërore.
Ai bashkë me presidenten ishte paraqitur edhe në Darkën e Lamës.



I kudondodhur burri i presidentes ishte shpesh edhe në fotografitë që publikonte ministria e Mbrojtjes të komponentës rezervë të ushtrisë.
Ai shfaqej në qendër të fotografive.




Por as këtu nuk përfundon me kaq “veprimtaria” aktive e zotëriut të parë. Në gusht të këtij viti, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, njoftonte se Prindon Sadriu i kishte dërguar letër asaj pas disa deklaratave që ajo kishte bërë në një debat televiziv për të.
Në këtë letër, Sadriu e paralajmëronte Musliun për padi civile dhe e bënte përgjegjëse për “dëm të pariparueshëm” ndaj tij dhe familjes së tij.
“Kjo letër përmbante një kërcënim për padi civile, arsyeja e përmendur në këtë letër është një deklaratë e thënë në një prej televizioneve ku paskam thënë se është ambasadorë me korrespodencë dhe se udhëton çdo ditë nga Prishtina në Shkup. E kjo ishte kryesisht çështja. Tani mua më drejtohet si diplomat i Kosovës, duke keqpërdorur adresën e presidentes”, kishte bërë të ditur Musliu.

Emri i Prindon Sadriut do të përmendej sërish gjatë këtij viti.
Mediat raportonin se Sadriu, ndonëse posedon një vlerë të madhe të pasurisë, ia kishte kërkuar shtetit 396 euro pasi ishte infektuar me COVID-19.
Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.
Këto veprime të Sadriut vinin pavarësisht se në bazë të deklarimit të pasurisë që ai kishte bërë në Agjencinë Kundër Korrupsion, vërehej se ai kishte një pasuri goxha të majme.
Kujtojmë se “zotëriu i parë” është vetëm titull ceremonial që nënkupton raportin bashkëshortor të presidentes.
“Zotëriu i parë” nuk ka asnjë kompetencë shtesë më shumë se një qytetar i thjeshtë i Kosovës.






