Ndonëse kërkoi që raportimi për rastin e zyrtarit policor në Drenas të bëhet i mbyllur, kryeshefja e inspektoratit Policor të Kosovës Miradije Kelmendi, raportimin mbi punën e IPK-së për vitin 2018 para Komisionit për Punë të Brendshme e ka vazhduar të hapur për media.
Gjatë raportimit, ajo bëri të ditur se në vitin 2018 nga IPK-ja janë hetuar gjithsej 194 punonjës së Policisë së Kosovës.
Anëtarët e këtij komisioni këtë raport e vlerësuan më shumë statistikor, madje thanë se një ai nuk duhej t’u dorëzohej atyre.
Kelmendi tha se në vitin 2018 Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar rreth 1400 ankesa dhe informacione për sjelljen e punonjësve të Policisë së Kosovës.
Sipas saj gjatë vitit 2018 janë hetuar gjithsej 194 punonjës të policisë, janë kryer 12 arrestime, 50 suspendime, 10 transfere për shkak të hetimeve.
Kelmendi: Mbi 1400 ankesa janë trajtuar nga IKP
“Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2018 ka trajtuar 1419 ankesa dhe informata, të cilat kanë në rrugë të ndryshme për sjelljet e punonjësve të policisë. Ankesat janë trajtuar fillimisht nga Departamenti për menaxhim të ankesave dhe janë adresuar pastaj në kompetencë për hetim varësisht prej kualifikimeve të shkeljeve.
Në Departamentin për hetim janë trajtuar 648 ankesa, 174 janë në proces të hetimit preliminar, ndërsa 329 janë përcjellë në drejtorinë profesionale për hetim disiplinor, ndërkaq 143 raste janë dërguar në prokurori përkatëse me kallëzim penal ose raport përpunues.
Nga Departamenti i hetimit gjatë vitit 2018 janë hetuar gjithsej 194 punonjës të policisë, janë kryer 12 arrestime, 50 suspendime, 10 transfere për shkak të hetimeve”, tha ajo.
Si sfidë për këtë institucion, Kelmendi ka cilësuar pozicionin e IPK-së, statusin e punonjësve të saj në nivelin e pagave dhe mungesën e burimeve njerëzore.







