17-vjeçari dyshohet se u ngacmua seksualisht nga doktori në Mitrovicë, deklarohet prokuroria

Një 17-vjeçar dyshohet se u ngacmua seksualisht gjatë vizitës që kishte bërë te një doktor në QKMF-në e Mitrovicës, pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për këtë rast.

Hetimet po zhvillohen në drejtim të dy veprave penale, tha për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

“Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar në drejtim të dy veprave penale, “Sulmi seksual” nga neni 229 i KPRK dhe ”Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe zhvillimit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të deklarohemi asgjë më shumë”, tha Preteni për Gazetën Express.

Dyshohet se familjarët e 17-vjeçarit kanë sulmuar mjekun stomatolog.

Për rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Mitrovicë 22.01.2021 – 08:00. Ankuesi mashkull kosovar i mitur raporton se është ngacmuar seksualisht. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me rekomandim të së cilit pas intervistimit palët të lirohen në procedurë të rregullt. Rasti vazhdon të hetohet”, është thënë në njoftimin e PK-së.