Vijon të ketë numër të lartë të infektuarish në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar të tjera shifra rekord sa i përket rasteve të reja. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se pas 864 testimeve u zbuluan 158 persona të infektuar me Covid-19.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 81 raste në Tiranë, 10 raste në Shkodër, nga 9 raste në Durrës dhe Vlorë, 6 raste në Korçë, nga 5 raste në Krujë, Fier, Lezhë, Lushnje, Kamëz, 4 raste në Kurbin, 3 raste në Kolonjë, nga 2 raste në Mat dhe Klos, nga 1 rast në Kukës, Kavajë, Berat, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë, Prrenjas”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Dy persona të tjerë nuk kanë mundur t’i mbijetojnë dot sëmundjes. Bëhet fjalë për një 60-vjeçar nga Tirana dhe një 62-vjeçar nga Shijaku. Viktimat ishin të dy me sëmundje bashkëshoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3928. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 101 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19. 17 prej tyre janë në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.

27 qytetarë të tjerë, të cilët edhe pse janë negativiuar nga sëmundja, vijojnë të marrin shërbim në spitale. Kjo për shkak të pasojave që u ka lënë virusi.