156 persona të pickuar nga rriqrat në Malishevë, flet nënkryetari Hajdin Berisha

Malisheva përveç me pandeminë e coronavirusit po përballet me problemin e rriqrave duke ua vështirësuar edhe më shumë situatën.

Nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, tha se në komunën e tyre ka nisur të bëhet dezinfektimi i të gjitha fshatrave.

“Deri tani sivjet kemi 156 persona të pickuar nga rriqrat, por në krahasim me vitet e kaluara ky numër është më i vogël, por ajo që është më rëndësi është se s’ka të infektuar fare”, ka deklaruar Berisha për Reporteri.net.

Ai ka thënë se gjendja shëndetësore e të gjithë personave të pickuar nga rriqrat është e mirë.

“Të gjithë personat që janë pickuar nga rriqrat janë mirë me shëndet dhe gjenden në shtëpitë e tyre”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se qe tetë vite fatmirësisht asnjë person nuk ka vdekur nga rriqrat.

Kujtojmë se Malisheva u godit rëndë nga coronavirusi në krahasim me komunat e tjera të Kosovës.

Nga coronavirusi nga kjo komunë janë infektuar 76 persona, prej tyre 71 janë shëruar dhe të gjithë janë mirë, ndërsa ka vdekur veç një person.