15-vjeçarja nga Sellca e Tetovës që vdiq nga virusi, paraprakisht humbi edhe nënën

Një 15-vjeçare ka ndërruar jetë nga Covid-19 sot në Maqedoninë e Veriut.

Për këtë rast që ka tronditur të gjithë, do të ketë paraqitje para mediave drejtoresha e Klinikës Infektive në ora 13:30.

“Ministria e Shëndetësisë me keqardhje njofton se në Klinikën Infektive ka ndërruar jetë një paciente 15-vjeçare nga fshati Sellcë e Tetovës. Pacientja me pasqyrë klinike të rëndë është sjellë në Klinikën infektive, pasi 13 ditë ka qenë me simptoma të sëmundjes. Para se të mjekohet në spital, pacientja ka pasur vështirësi 10 ditë.

Sipas raportit mjekësor, bëhet fjalë për rast të rëndë, me formë të vështirë të sëmundjes – pacientja është me obezitet. Anketa epidemiologjike është e rëndë, sipas rrëfimeve të babait të pacientes, nëna e saj ka ndërruar jetë nga Covid-19”, thanë nga MSh-ja, transmeton TV21.

Kujtojmë që fshati Sellcë është i banuar vetëm me shqiptarë. Autoritetet maqedonase nuk kanë treguar nacionalitetin e viktimës.