Gruaja nga Gjakova, me inicialet V.P., 40 vjeçe, ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive të QKUK-së, si pasojë e infektimit me COVID-19. E ndjera kishte qenë shtatzënë në javën e 28-të. Mirëpo, edhe foshnja e saj ka ndërruar jetë. Ky rast e ka çuar në 16 numrin e personave të vdekur nga koronavirusi në Kosovë. E ndjera kishe kërkuar ndihmë mjekësore në disa spitale klinika kosovare. E si pasojë e kontaktit me të tashmë 14 punonjës të Klinikës së Neurologjisë  të QKUK’së janë futur  në karantinim. Të gjithë ata kanë rezultuar negativ pas testimit me Covid 19.  Kështu deklaroi drejtori i Neurologjisë, Nexhmedin Shala.

“Të 14 punonjësit e Klinikës tonë kanë rezultuar negativ me COVID-19”, thotë ai.

Por, përderisa asnjëri nga mjekët kosovarë nuk po arrinte të zbulonte simptoma se e ndjera ishte prekur nga COVID-19, kishin qenë mjekët e Klinikës së Neurologjisë të QKUK-së ata të cilët i kishin pasur dyshimet e para se ajo ishte prekur nga koronavirusi.

Kësaj zonje tashmë të ndjerë i ishin bërë tri testime me dyshimet për koronavirus, dy të parat kishin rezultuar negative. Ndërkohë në testimin e tretë kjo zonjë ishte diagnostikuar si e infektuar me COVID-19, tha drejtori i Neurologjisë, Nexhmedin Shala.

“Ajo ka qëndruar te ne për disa orë. I kemi pasë dyshimet tona se ajo ishte prekur me COVID-19. E kemi sugjeruar që t’i bëhet testimi. Në dy testime ka rezultuar negativ, ndërkohë që vetëm në testimin e tretë ka rezultuar pozitive”, ka sqaruar Shala për Express.

Ai tha se tashmë e ndjera kishte shkuar në Klinikë me simptoma të kokëdhimbjes.

Kjo është vdekja e 13-të e pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive dhe e 16-ta në nivel të shtetit.