13.4 milionë euro për hyrjen e Ferizajt me katër korsi, Abrashi paralajmëron edhe projekte tjera të rëndësishme

Kryeministri në detyrë i Kosovës,  Avdullah Hoti bashkë me ministrin e infrastrukturës, Arban Abrashi kanë marr pjesë në nisjen e punimeve në zgjerimin e rrugës  “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”, investim ky i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kryeministri Hoti tha se krijon qasje më të mirë me komunat përreth, duke lehtësuar edhe të bërit biznes.

“Ky është projekt me rëndësi që krijon qasje të mirë për qytetarët e Ferizajt me komunat për rreth. BERZH një partner i madh zhvillimor për Republikën e Kosovës duke financuar shumë projekte infrastrukturore. Ky projekt i akomodon të gjitha nevojat e bizneseve dhe do të përfundohet në afat rekord”, tha Hoti.

Ministri i Infrastrukturës në detyrë, Arban Abrashi, tha se me BERZH-in do të ketë edhe shumë projekte të tjera në infrastrukturë.

“Pas një pune të gjatë po fillon një projekt i rëndësishëm që ndryshon edhe pamjen e qytetit, lehtëson lëvizjen e qytetarëve, e posaçërisht të bizneseve. Kemi filluar edhe për këtë vit hartimin e projekteve tjetra, të cilat i japin formë dhe e lidhin Kosovën me vendet fqinje. Kemi diskutuar me BERZH-in edhe lidhjen e Ferizajt me Brezovicën, nga Peja për në Çakorr, kurse ajo çka është më e rëndësishmja që do ta ofrojmë Kosovën edhe më shumë me Evropën, me autostradën për Merdare që kemi aplikuar për financim. Po ashtu këtë vit do ta nisim rrugën me 4 korsi, që ka mbetur me vite pezull, autostrada e  Pejë (Kijevë – Zahaq)”, tha Abrashi.

Ndërsa, udhëheqësi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Neil Taylor, tha se projekti është i gjatë 5.6 kilometra dhe do të ketë impakt shumë të madh tek bizneset dhe njerëzit. Ai tha se BERZH do të vazhdojë financimin në modernizimin e infrastrukturës në Kosovë.

Projekti parasheh të përfundojë në janar-shkurt të vitit 2023, gjatësia është 5.6 kilometra me katër korsi dhe do ta ketë ndriçimin, trotuaret dhe të gjitha standardet. ​