11-vjeçarja vlonjate vetëvaret brenda banesës

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Vlorës.

Një vajzë vetëm 11-vjeçe është dërguar pa shenja jete në spitalin e qytetit nga familjarët e saj.

Familjarët e të miturës, siç mësohet kanë deklaruar në spital se e kishin gjetur vajzën të vetëvarur brenda banesës.

Në gjendje shoku ata e kanë dërguar me urgjencë drejt spitalit, por mjekët nuk kanë mundur t’i vinin në ndihmë, pasi ajo kishte ndërruar jetë.

Pritet që trupi i 11-vjeçares t’i nënshtrohet tashmë ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar edhe shkaqet e vdekjes, raporton Ballkan Web.

Nuk dihen ende motivet që mund ta kenë çuar të miturën drejt aktit ekstrem të vetëflijimit.

Polica e Vlorës po heton për ngjarjen në fjalë.