Instituti i Shëndetit Publik deklaroi të shtunën se numri i personave të prekur me COVID-19 në Shqipëri shkoi në 76, pas gjashtë rasteve të reja të zbuluara në 24 orët e fundit. Dy prej të prekurve kanë humbur tashmë betejën me sëmundjen, ndërsa dy të tjerë dolën nga spitali të rikuperuar.
Eugena Tomini, shefja e Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP deklaroi të shtunën se ishin kryer 46 testime të reja në 24 orët e fundit, nga të cilët 6 rezultuan pozitivë me virusin COVID-19. Pesë prej pacientëve të prekur janë nga Tirana, ndërsa i gjashti është nga Fieri.
“59% e pacientëve të prekur me COVID-19 janë të gjinisë meshkuj, ndërsa 41% janë femra,” tha Tomini në deklaratën për mediat. Në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 37 pacientë, katër prej të cilëve janë në terapi intensive.
Tirana vazhdon të jetë vatra më e madhe në Shqipëri me 55 persona të infektuar nga koronavirusi. Rastet e reja të zbuluara në Tiranë konsiderohen kontakte të pacientëve të mëparshëm.
Kështu, Tirana numëron 55 nga 76 rastet pozitive me koronavirus në Shqipëri duke u kthyer kështu kryeqendra e infeksionit në vend.
Gjatë ditës së djeshme u konfirmuan gjithashtu pesë raste të reja në Tiranë duke e çuar numrin e të prekurve në 11 vetëm gjatë dy ditëve të fundit. Por sërish, mijëra qytetarë të Tiranës kanë vërshuar rrugëve këto ditë, duke shpërfillur rrezikun. Këtë situatë e kanë nxitur edhe urdhrat e qeverisë me fashat e reja të lëvizjes.
Numri i të infektuarve nga Fieri u rrit gjithashtu në 8 të shtunën, pas zbulimit të një rasti të ri. Pesë vatrat e tjera në Durrës, Lushnje, Rrogozhinë, Elbasan dhe Kavajë nuk kanë pësuar rritje.
Tomini deklaroi gjithashtu se dy pacientët e rikuperuar do të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjerë. Gjatë kësaj periudhe, shëndeti i tyre do të monitorohet.







