108 mln dollarë fshihen në Shqipëri/ Mashtroi 700 mijë persona në Turqi, fshihet në Tiranë

Fatih Faruk Ozer, biznesmeni turk i cili u largua nga Turqia me rreth 2 miliardë dollar asete digjitale, vijon të kërkohet në vendin tonë.

Ozer është themeluesi i platformës së kriptomonedhës Thodex, ku rreth 700 mijë shtetas turq kishin investuar paratë e tyre, por drejtuesi i platformës Fatih Faruk Ozer, dyshohet se i ka vjedhur këto para. Prandaj, në datën 24 prill, prokurorët në Stamboll nisën një hetim dhe një urdhër ndalimi për Ozer, duke kërkuar edhe ndihmën e Interpol.

Biznesmeni turk mbërriti në aeroportin e Rinasit mesditën e 20 prillit. Burime nga grupit hetimor thanë për Top Channel se ai u prit nga një person me një automjet i cili e shoqëroi drejt Tiranës. Në momentin e mbërritjes, Ozer ka pasur vetëm një çantë të vogël, brenda së cilës dyshohet se ka pasur laptopin i cili ka të dhënat e llogarive të investitorëve në kriptomonedhë. Të njëjtat burime thanë për Top Channel, se Fatih Faruk Ozer, ka fjetur dy netë në Tiranë në një hotel, e ndërsa tashmë është e panjohur vendndodhja.

Gent Progni, programues, shpjegon për Top Channel se Ozer ka pasur të gjitha mundësitë që shumën e kriptovalutës t’a konvertonte në para Cash, e madje edhe për të blerë asete të ndryshme.

Shqipëria ndërkohë ka një treg ilegal të kriptomonedhave. Gjithandej dëgjohen zëra për biznesmenë që investojnë me shpresën për të fituar miliona dhe që kanë humbur miliona. Së fundmi Shqipëria është kthyer në një strehë për mashtruesit e kriptovalutave.