Aksidente

104 persona të vdekur në aksidente më 2023, paralajmërohet ashpërsim i masave në trafik

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.

Në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, ai ka thënë se gjatë këtij viti 104 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut dhe ka thënë se kjo e bën të domosdoshëm ashpërsimin.

Ai ka folur edhe për aksidentin e së shtunës në Prizren, ku tre persona humbën jetën në një aksident gjatë një gare ilegale automobilistike.

Sveçla ka thënë se grupit që kishte organizuar atë garë, dy herë nga Policia i ishte parandaluar organizimi i garave të tilla.

“Vitin që po e mbyllim Policia ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme abutomobilistike. Për rastin e së shtunës, Policia e Kosovës të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla … siç tashmë është bërë ditur, nga Policia e Kosovës të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie e rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patentë-shoferi për tejkalim shpejtësie”, ka theksuar Sveçla.

“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe humbjen e jetëve në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të masave dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë”, ka shtuar Sveçla.