100 vjet para koronavirusit, gripi spanjoll la së paku 50 milionë të vdekur

Njëqind vjet më parë bota po rikuperohej nga një luftë botërore që kishte mbytur rreth 20 milionë njerëz dhe papritmas u desh të përballej me diçka edhe më të rëndë: shpërthimi i një virusi.

Pandemia, e njohur si gripi spanjoll, mendohet të ketë nisur në kampet ushtarake të Frontit Perëndimor. Higjiena e dobët ndikoi që të zhvillohej e të shpërndahej ky grip. Lufta përfundoi në nëntor të 1918-s, por me t’u kthyer nëpër shtëpi ushtarët, ata bartën edhe virusin me vete, duke shkaktuar edhe më shumë humbje jetësh: mes 50 dhe 100 milionë njerëz mendohet të kenë vdekur.

Bota ka vuajtur shumë pandemi në vjetët pasuese, por asnjëra s’ka qenë më vdekjeprurëse deri tash.

Tash bota, 100 vjet pas këtij gripi, po reagon pas shpërthimit të koronavirusit. Shumica e njerëzve që po vdesin nga virusi i ri, vuajnë nga pneumonia, dhe me virus u dobësohet sistemi imunitar.

Kjo është diçka e ngjashme sikur me gripin spanjoll – edhe pse vdekjet janë shumëfish në shkallë më të ulët nga virusi i ri. Njerëzit më të moshuar dhe ata me sistem imunitar më të dobët janë më lehtë të prekshëm nga ky virus, shkruan BBC.

Pak hapësira për ikje

Udhëtimi në ajër ishte në fazën fillestare kur shpërtheu gripi spanjoll. Ka pak vende që arritën t’i mbijetonin ndikimit të virusit. Shtrirja e tij në gjithë botën ishte më e ngadalshme, e bartur përmes udhëtimeve përmes hekurudhave, në vend të rrugës ajrore. Disa vende “mbijetuan” për disa muaj, apo edhe vjet, para se gripi t’i pushtonte.

Por disa hapësira arritën të menaxhonin gripin, përmes përdorimit të disa teknikave që akoma përdoren. Në Alaska, një komunitet thuajse s’ishte prekur fare nga ky virus. Ata kishin mbyllur shkollat, kishin anuluar grumbullimet dhe kishin mbyllur qasjen në rrugën kryesore të fshatit. Ngjashëm po veprohet tash në provincën kineze, Hubei, dhe në Italinë veriore.

Viruset e ndryshme kanë cak popuj të ndryshëm

Doktorët kanë përshkruar gripin spanjoll si “holokaustin më të madh mjekësor në histori”. Jo vetëm nga fakti që kishte vrarë shumë njerëz, por edhe se viktimat e tij ishin të rinj e njerëz të shëndetshëm. Një sistem imunitar i shëndetshëm mund ta përballojë gripin, por ai reagonte aq shpejt dhe mbërthente sistemin duke i shkaktuar reagim të jashtëzakonshëm, duke “ngufatur” mushkëritë me lëngje që u bënë rezervuar për infeksionet dytësore. Njerëzit më të moshuar ishin më pak të prekur sepse tashmë i kishin mbijetuar një gripi tjetër që kishte pushtuar botën në vitet 1830. Me koronavirusin e ri, të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të mëhershme konsiderohen si më të rrezikuarit. Edhe pse jo në numër të jashtëzakonshëm sikur gripi spanjoll, vdekjet kanë prekur ata më të moshuar se 80-vjet, transmeton Koha.net.

Shëndeti publik, mbrojtja më e mirë

Gripi spanjoll kishte shpërthyer në botën që sapo kishte dalë nga lufta botërore. Ideja e një sistemi shëndetësor publik ishte në fillimet e saja – në shumë vende, vetëm klasa e mesme dhe ajo e pasur mund të vizitonin doktorin. Gripi kishte mbytur më shumë njerëz në zona të varfra me kushte të rënda.

Gripi nxiti zhvillimin e shumë sistemeve publike të shëndetësisë nëpër botë, duke bindur shkencëtarët dhe qeveritë se pandemitë mund të përhapeshin më shpejtë se që kishte ndodhur në të kaluarën.

Trajtimi i njerëzve nga njëri rast te tjetri s’do të ishte i mjaftueshëm. Për t’u përballur me pandemitë në zonat urbane, qeveritë u desh të mobilizonin burimet sikur të ishin në kohë lufte, duke vënë në karantinë ata që jepnin shenja sëmundjeje, e duke ndarë ata që kishin sëmundje më serioze, si dhe duke limituar lëvizjet e njerëzve.

Institucionet e shëndetit publik sot po marrin masa për të parandaluar shpërndarjen e gripit dhe kjo vjen edhe për shkak të pasojave me të cilat ishte përballur nga gripi spanjoll.