10 raste të zjarrvënies së veturave në Veri u raportuan gjatë 2023

10 raste të zjarrvënies së veturave në Veri janë raportuar gjatë vitit 2023.

Policia e Kosovës ka njoftuar se 10 raste të tilla janë raportuar edhe gjatë vitit 2022.

Policia ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e autorëve.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe operative për identifikimin e kryesve të këtyre veprave penale. Janë intervistuar ankuesit/viktimat dhe një person është arrestuar me dyshimet e arsyeshme se ka kryer këto vepra penale në komunën e Zubin Potokut”, ka thënë policia e Kosovës një përgjigje për Express

Për zjarrvënien e veturave në Zubin Potok, të shtunën Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin, Milovan Bozovic. Përpos djegies së veturave, ai është i dyshuar edhe për sulmin me armë ndaj Policisë së Kosovës ku u plagosën dy zyrtarë të saj.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të mbrojë jetën dhe pronën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe me të gjitha kapacitetet është duke punuar në identifikimin e personave, strukturave kriminale që janë përfshirë në këto raste dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.”

Djegia e veturave u dënua nga ambasadorët

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka quajtur shqetësues faktin që Lista Serbe nuk i ka dënuar djegiet e veturave të qytetarëve serbë në veri, të cilët i kanë regjistruar ato me targa RKS.

“Pse? Shumë shqetësues fakti që Lista Serbe sërish nuk i ka dënuar zjarrvëniet në automjetet e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar për ta dënuar këtë praktikë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ndërsa, ambasadori Hovenier, ka thënë se SHBA-të e kanë dënuar vazhdimisht djegien e vetyrave në Veri.

“SHBA-të vazhdimisht e kanë dënuar djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto vepra kriminale”, ka shkruar Hovenier.