10 familje po rrezikohen në Shtupeq të Madh, zjarri po shuhet nga helikopteri

Përfaqësuesi i pesë fshatrave të rajonit të Rugovës së Pejës, Agron Nikqi tha se situata në fshatin Shtupeq i Madh është alarmante për banorët të cilët gjenden në afërsi të vatrave të zjarrit por edhe për ambientin.

“Gjatë gjithë ditës kanë qenë KFOR-i dhe FSK-ja që kanë tentuar ta shuajnë zjarrin dhe parashihet një rrezik i madh nëse vazhdon era e madhe që po e fuqizon zjarrin. Duhet një veprim i menjëhershëm që duhet të evakuohen banorët të cilët janë të rrezikuar”, është shprehur Nikqi në Klan Kosova.

Nikqi tha se në rrezik janë 10 familje të asaj zone, ku zjarri më i fuqishëm është në pjesën mes fshatit Shtupeq i Madh dhe bjeshkës që gjendet në atë pjesë.

“Në rrezik janë 10 familje që janë afër vatrës së zjarrit ku kanë edhe bagëti.  Zjarri më i fuqishëm është në pjesën mes fshatit Shtupeq i Madh dhe bjeshkës, ku banorët e këtij fshati jetojnë aty gjatë verës, mirëpo situata është mjaft e rëndë dhe vetëm me helikopter po mund të shuhet zjarri në këto pjesë për shkak të terrenit të papërshtatshëm”, është shprehur Nikqi.