Franca do të votojë për të zgjedhur një president të ri më 10 prill, dhe lista përfundimtare e kandidatëve përbëhet nga dymbëdhjetë konkurrentë, mes tyre kryesorët janë Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen

Presidenti aktual Emmanuel Macron deklaroi muajin e kaluar se synon të kandidojë për një mandat të dytë. Kundërshtarja e tij në raundin e dytë nga viti 2017, e djathta ekstreme Marine Le Pen, kishte nisur tashmë fushatën e saj.

Sipas mesatares së sondazheve në 7 ditët e fundit, Macron ka një mbështetje prej 27.7%, i ndjekur nga Le Pen me 19.9%.

Jean-Luc Mélenchon i majtë, me 14.7% mbështetje është aktualisht në vendin e tretë.

Valérie Pécresse e së djathtës, që garon për Les Républicains, po konkurron me ish ekspertin televiziv të ekstremit të djathtë, Eric Zemmour, për vendin e katërt. Ky i fundit sipas matjeve ka 10.7% përkrahje, ndërsa Pécresse ka 10.2%.

Ata ndiqen në sondazhe nga Yannick Jadot i të Gjelbërve, Fabien Roussel i Partisë Komuniste dhe kandidatja socialiste dhe kryebashkiaku i Parisit, Anne Hidalgo, shkruan The Guardian.

Kandidatët e mundshëm kishin kohë deri më 4 mars për të paraqitur 500 nënshkrimet e zyrtarëve të zgjedhur që mbështesin kandidimin e tyre, gjë që kërkon ligji.

Raundi i parë do të mbahet më 10 prill dhe në rast se asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, dy javë më vonë do të mbahet raundi i dytë i balotazhit, ku do të paraqiten dy kandidatët kryesorë nga raundi i parë.

Sondazhet sugjerojnë se balotazhi ndoshta do ta vendosë Macron kundër Le Pen, në një rivotim të raundit të dytë në 2017.