Gjykata Themelore në Mitrovicë

1 vit burgim me kusht dhe 400 euro gjobë për shkak të gjuajtjes me armë në dasmë

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor dhe dënuar me një vit burgim me kusht dhe 400 euro gjobë të akuzuarin L.H, pasi i njëjti pranoi fajësinë se kishte gjuajtur me armë në një dasmë në vitin 2016.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari i rastit Mentor Hajraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari L.H po ngarkohej nga prokuroria për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata, për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” ndaj të akuzuarit shqiptoi dënim me kusht me një vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej dy viteve pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, nuk kryen vepër tjetër penale.

Kurse, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” i akuzuari u dënua me 400 euro dënim me gjobë, të cilin dënim i njëjti detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga plotëfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Tutje, në çoftë se i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në lartësi prej 400 euro në afatin e caktuar nga gjykata, ky dënim do të zëvendësohet me dënim me burgim, duke llogaritur 20 euro me një ditë qëndrim në burgim.

“Gjykata në mënyrë të përhershme e ka konfiskuar armën, dhe sapo aktgjykimi të marrë formën e prerë e njëjta do të shkatërrohet nga Policia e Kosovës”, konstatoi gjyqtari Hajraj.

Po ashtu, i akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor në shumë prej 30 euro, kurse në emër të fondit të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Tutje, palët u njoftuan se kanë të drejtë që në afat prej 15 ditësh nga dita kur e marrin aktgjykimin, të paraqesin ankesë në gjykatën e shkallës së dytë kundrejt këtij vendimi.

Ndryshe, pas leximit të aktakuzës në shqyrtimin fillestar nga prokurorja Fetije Bajrami, i akuzuari L.H. e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

I njëjti pasi shprehu keqardhje për rastin, i premtoi gjykatës se nuk do të përsërisë më vepra penale, ndërsa kërkoi nga gjykata që të merr parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e shqiptimit të dënimit, duke propozuar që t’i shqiptohet dënim me kusht pasi deklaroi se jeton jashtë Kosovës.

Ndërsa, prokurorja Bajrami i propozoi gjykatës që të pranojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit pasi që ky deklarim është bërë në mënyrë vullnetare, pa imponime, dhe është në përputhje me shkresat e lëndës.

Pas marrjes së konstatimeve të palëve në lidhje me pranimin e fajësisë nga i akuzuari H., gjyqtari Hajraj pranoi pranimin e fajësisë nga i njëjti, pasi konstatoi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore në lidhje me pranimin e fajësisë nga i akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 18 qershor 2019 ka ngritur aktakuzë kundër L.H. sepse më 5 gusht 2016, rreth orës 10:50 në fshatin Zhabar i Epërm, komuna e Mitrovicës, duke qenë i i vetëdijshëm të kuptonte rëndësinë e veprimeve të tij, përdori armën në kundërshtim me dispozitat ligjore, ku në një aheng-dasëm gjuajti 4 plumba nga pistoleta e tipit “Bruni” model 92, nr.serik Bel-00073, kalibrit 9 mm.

Me këtë ka kryer veprën penale – “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.

Në pikën e dytë të dispozitivit, i akuzuari H. ngarkohet se që nga data e pavërtetuar e deri më 5 gusht 2016 në fshatin Zhabar i Epërm, Komuna e Mitrovicës duke qenë i i vetëdijshëm të kuptonte rëndësinë e veprimeve të tij dhe ndalimin e të njëjtave, në automjetin e tij motorik të tipit “Golf 6”, pa autorizim posedoi pistoletën me gaz tipit “Bruni” model 92, nr.serik Bel-00073, kalibrit 9mm.

Sipas aktakuzës e njëjta armë është konfiskuar nga organet kompetente në të njëjtën ditë.

Me këtë ka kryer veprën penale – “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së, në bashkim real me veprën penale në pikën e parë të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi