Qemajl Aliu

“1 mijë euro për trinjakë, 100 për fëmijën e parë”, Komuna e Shtimes subvencionon nënat lehona

Kuvendi komunal i Shtimes, ka marrë vendim për ndarjen e subvencioneve për nënat lehona për fëmijët e lindur në vitin 2024.

Sipas një postimi në faqen zyrtare të rrjetit social në Facebook shkruhet se kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka bërë të ditur se që tani e tutje, çdo çift që u lind fëmija i parë do t’i përfitojnë 100 euro shtesë, për fëmijën e dytë 150 euro, për të tretin 200, ndërsa për binjakët 500, e trinjakët 1.000 euro.

“Pasi e kemi iniciuar për herë të parë në Komunën e Shtimes praktikën e mbështetjes së nënave lehona, jam i lumtur që u votua në kuvend propozimi ynë për rritjen dhe përshkallëzimin e vlerës së përkrahjes financiare”, tha Aliu.

Ai tha se qeverisja e mirë po dëshmohet në përditshmëri me masat ndihmuese për të gjitha kategoritë shoqërore, kësisoj duke ndikuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e mirëqenies për të gjitha familjet në komunën Shtimes.