​Testet e vaksinave kundërCOVID për fëmijët zgjasin më shumë se ato për të rriturit

Qindra miliona të rritur janë vaksinuar, por rezultatet që flasin në favor të efektivitetit të tyre nuk janë zëvendësues i kërkimit për vaksinat e nevojshme për fëmijët.

Për versionin e fëmijëve të vaksinës kundërCOVID-19, shkencëtarët përdorin rezultatet e testeve te të rriturit dhe një test të plotë në pediatri.

Hulumtimi i vaksinave për të rriturit po përshpejton procesin. Siç shpjegon mjeku Stanley Perlman, i cili është në Bordin Këshillues të FDA-së për Vaksinat dhe Produktet Biologjike të Përafërta, njëherësh pediatër dhe profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Iowa-s, “për fëmijët 12 vjeç, kompanitë nuk duhet të regjistrojnë deri në 30.000 njerëz.

“Ishte e nevojshme për provat e vaksinave te të rriturit, sepse ata mund të bënin atë që quhet “ura imunitare””, tha ai.

Të dhënat treguan se për këtë grup-moshë, përgjigja imune ishte ekuivalente me atë të të rriturve.

Kompanitë kanë një qasje të ngjashme me fëmijët më të vegjël, por në fillim të gushtit, FDA kërkoi gjashtë muaj të dhëna të mëvonshme të sigurisë, në vend të dy muajve që kërkoi për të rriturit.

Pfizer dhe Moderna gjithashtu iu kërkua të dyfishonin numrin e fëmijëve të moshës pesë deri në 11 vjeç në provat klinike.

Këshilltarët e vaksinave të CDC thanë në qershor se kishte një lidhje të mundshme midis vaksinës mRNA kundërCOVID-19 dhe rasteve jashtëzakonisht të rralla të inflamacionit të zemrës tek adoleshentët dhe të rinjtë, por se përfitimet e vaksinimit ende tejkalojnë qartë rreziqet.

Rastet e inflamacionit dukej të ishin të lehta dhe u zgjidhën shpejt vetë ose me trajtim minimal, shkruan CNN.

Në një spital për fëmijë në Teksas, pediatri James Versalovic, tha se nuk është problem të rekrutoni më shumë fëmijë për të hulumtuar vaksinën Pfizer dhe Moderna. Shumë vende kanë lista të gjata pritjeje.

Zgjerimi i kërkimit, megjithatë, i shtoi të paktën një muaj procesit të kërkimit.

“Ne të gjithë u pajtuam se ishte e vlefshme, vetëm në mënyrë që hulumtimi të sillte të dhëna më të besueshme në mënyrë që t’u sigurojë prindërve në të gjithë vendin një nivel sigurie shtesë. Kjo ende e zgjat studimin, por vetëm pak ”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për fazën e testimit të vaksinave për fëmijët, shkencëtarët vlerësojnë më së miri se cila dozë do të ishte e sigurt dhe cila do të krijonte një përgjigje imune. Nivelet dhe afatet bazohen në fazat e zhvillimit.

Ashtu si me çdo test vaksine, kjo duhet të kalojë në tri faza para se të miratohet nga FDA. Në fazën e parë, testohet nëse vaksina është e sigurt në rreth 20 deri në 100 fëmijë të shëndetshëm.

Në këto faza, shkencëtarët monitorojnë sigurinë dhe testojnë nëse sistemet imune të fëmijëve i përgjigjen vaksinës. Shkencëtarët po rekrutojnë qindra apo edhe mijëra fëmijë për këtë hap. Disa marrin një vaksinë, disa placebo dhe rezultatet krahasohen.

Vetëm pasi të kenë përfunduar këto hapa, një kompani mund të kërkojë miratimin e FDA -së.