​Tahiri: Komuna e Vushtrrisë do të përkrahë me 150 deri 300 euro të prekurit me COVID-19

Kuvendi Komunal i Komunës së Vushtrrisë ka aprovuar sot vendimin për përkrahje financiare për të prekurit me COVID-19. Në bazë të këtij vendimi do të përfitojnë vetëm familjet me asistencë sociale, familjet që nuk kanë të ardhura dhe familjet që kanë më pak se 350 euro të hyra mujore.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se shuma e përkrahjes nga Komuna është 150-300 euro dhe se aplikimi mund të bëhet gjatë gjithë vitit 2021.

“Në kuadër të zbutjes së ndikimit të pandemisë Covid 19, Kuvendi i Komunës sot ka aprovuar Vendimin për përkrahje financiare për të prekurit me Covid 19, ku nga ky vendim do të përfitojnë vetëm familjet me asistencë sociale, familjet që nuk kanë të ardhura dhe familjet që kanë më pak se 350€ të hyra mujore. Shumë e përkrahjes nga Komuna, kategoria subvencione, është 150-300€. Një komision i formuar nga Kuvendi do të bëjë vlerësimin e secilit rast për qëllim të rritjes së transparencës. Aplikimi mund të bëhet gjatë gjithë vitit 2021 dhe vendimi do të përfshijë periudhën nga fillimi i pandemisë deri në përfundimin e saj”, tha ai.