​Selimi: Sistemi i drejtësisë do të jetë më funksional me krijimin e Gjykatës Komerciale

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka deklaruar sot se themelimi i Gjykatës Komerciale do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit dhe do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset dhe investitorët e huaj.

Ai në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, theksoi rëndësinë që ka drejtësia komerciale, veçanërisht themelimi i Gjykatës Komerciale, funksionalizimi i së cilës mbetet një nga prioritetet e mandatit të tij.

Selimi po ashtu tha se mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me të gjithë akterët relevantë, me qëllim të avancimit të ligjit të ri, i cili do të finalizonte sa më parë krijimin e Gjykatës Komerciale.

Gjatë këtij paneli u diskutua edhe për veprimet e ndërmarra në fushën e drejtësisë, përfshirë finalizimin e Kodit Civil, të drejtat pronësore, vetingun, sfidat në këtë rrugëtim dhe prioritetet tjera, të cilat pritet t’i realizojë ministri Selimi gjatë mandatit të tij.